Sot, në prani të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, si dhe zyrtarëve të Ministrisë, z. Iber Alaj, z. Fidan Shatri dhe z. Florim Kryeziu u zhvillua ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për fazën II të ndërtimit të kompleksit sportiv-stërvitor të FC Prishtina në Bernicë.
Në këtë ngjarje morën pjesë gjithashtu drejtori gjeneral Artan Osmani si dhe anëtarë të stafit teknik të klubit, të cilët vlerësuan këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës sportive të klubit. Faza e parë e projektit, e cila përfshiu ndërtimin e zhveshtoreve të reja të klubit, hapësirave administrative dhe fushës stërvitore, është përmbyllur me sukses.
Me fazën e dytë, që tashmë ka filluar, parashihet ndërtimi i hapësirave të akomodimit për skuadrën dhe akademinë, qendrës së fitnesit, si dhe restorantit të kompleksit.
Hajrulla Çeku,
Një komponentë e rëndësishme e kësaj faze është instalimi i paneleve diellore dhe pompave termike, të cilat do t’i mundësojnë kompleksit të funksionojë tërësisht me energji të gjelbër dhe të qëndrueshme, duke e kthyer atë në një shembull të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm sportiv në rajon. Pamje nga stadiumi në Bernicë
Gjatë ceremonisë, Drejtori i Drejtorisë për Sport, z. Iber Alaj, prezantoi në pika të shkurtra edhe planet për fazën III dhe finale të projektit, e cila pritet të nisë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Kjo fazë do të përfshijë ndërtimin e një fushe të mbyllur (indoor), një fushe me bar natyral, si dhe një fushe më të vogël që do të shërbejë për ndeshje dhe stërvitje të grupmoshave 9–13 vjeç, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e gjeneratave të reja të futbollistëve.
Me përfundimin e këtij projekti ambicioz, FC Prishtina do të zotërojë njërin prej komplekseve stërvitore më modernë dhe më të kompletuar në rajon, me kapacitete të plota për të përmbushur nevojat e të gjitha grupmoshave dhe komunitetit sportiv të kryeqytetit.
FC Prishtina, me këtë rast, shpreh mirënjohjen e saj ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në krye me Ministrin z. Hajrulla Çeku, si dhe të gjithë stafit të MKRS-së për investimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në zhvillimin e këtij projekti madhor për sportin tonë.