Zlatan Ibrahimovic ka dalë në mbrojtje të Rafael Leao-s, i cili kohët e fundit është përballur me kritika pas paraqitjeve të zbehta dhe zëvendësimeve në ndeshjet kundër Napolit dhe Juventusit.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, suedezi foli me tone të ngrohta për sulmuesin portugez:
“Leao është magjik. Gjatë përgatitjeve ishte më i miri, më pas qëndroi jashtë për dy muaj dhe tani duhet të kthehet në formën e tij. Presim magji, sepse ai është ndër lojtarët më të mirë në botë. Kur fituam Scudetton, mund të them se ai e fitoi vetë.”
Ibrahimovic theksoi se edhe pse roli i tij tani është ndryshe, ai vazhdon të jetë i përfshirë afër skuadrës:
“Unë jam ende Ibra. Kam mësuar se ndonjëherë duhet të jesh më i butë për të hyrë në kokën e lojtarëve. Në dhomën e zhveshjes isha me ta në Torino, të gjithë ishin të zemëruar, edhe Leao, sepse mund të kishim fituar.”
Suedezi beson se Milani është gati për të luftuar për titull:
“Këtë vit skuadra është shumë konkurruese dhe mund të arrijë rezultate të mëdha. ADN-ja e Milanit është fitorja, veçanërisht në Evropë. Askush nuk e ndryshon Milanin, është Milani që të ndryshon ty. Dhe po, unë besoj te Scudetto.”
Në fund, “Zoti Ibra” nuk la pa ironinë e tij të njohur:
“Unë jam ende Zot. Nëse do të isha në fushë, do t’i kisha të gjitha përgjigjet. Në tribuna vuaj që s’mund të ndihmoj, por gjithçka që bëj është për Milanin.”