Sonte, në “Parc des Princes” të Parisit, Franca do të përballet me Azerbajxhanin në ndeshjen e tretë të fazës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026. Në letër, është një përballje e lehtë për “Gjelat”, që kanë fituar dy ndeshjet e para dhe kryesojnë grupin e tyre pa rivalë. Megjithatë, në Madrid mbretëron ankthi: Kylian Mbappé mund të jetë titullar, pavarësisht dëmtimit në kyçin e këmbës që pësoi kundër Villarreal-it.
Sulmuesi francez, që me Realin ka shënuar 14 gola në 10 ndeshje, pra 54% të golave të skuadrës së Xabi Alonso-s, është bërë lojtari më i rëndësishëm i madrilenëve. Prandaj, mundësia që ai të përkeqësojë gjendjen e dëmtimit vetëm pak ditë para El Clásico-s ndaj Barcelonës, që do të luhet më 26 tetor, ka shkaktuar shqetësim të madh në klubin “merengues”.
“Klubet paguajnë dhe s’duan të humbasin lojtarët e tyre. Por për ne, përfaqësuesja është gjëja më e rëndësishme. Kishte një problem të vogël në kyç, por desha të vija dhe klubi e kuptoi. Gjithçka është mirë. Dua të luaj, dhe trajneri do që unë të luaj. Ndihem mirë, kaq.”
Edhe Didier Deschamps, trajneri i Francës, u shpreh se gjendja e tij nuk është shqetësuese:
“Nuk është një dëmtim serioz. Më shumë një ndjeshmëri e lehtë. Ka ndjekur programin e parashikuar dhe, nëse gjithçka shkon si duhet, do të jetë i gatshëm.”
Synimi: të parakalojë Giroud në renditjen historike
Mbappé ka edhe një arsye tjetër për të mos munguar në këto ndeshje kundër Azerbajxhanit dhe Islandës: rekordi i golave me Francën. Me 52 gola, ai është vetëm pesë gola larg Olivier Giroud, golashënuesi më i0 mirë në historinë e “Les Bleus”.
“Qëllimi kryesor është kualifikimi, por nëse mund të shënoj, nuk do të ndalem. Dua ta barazoj Giroud-n, por kjo do të ndodhë natyrshëm,” tha ai.
Pas tensioneve të sezonit të kaluar, kur mbeti jashtë një grumbullimi për t’u përshtatur me Realin, marrëdhënia mes tij dhe Deschamps është përmirësuar ndjeshëm. Mbappé tani është kapiteni i Francës dhe mban numrin 10 që dikur i përkiste legjendave si Platini dhe Zidane.
“Kam nisur mirë, si me Realin ashtu edhe me përfaqësuesen. Mund të përmirësohem dhe po punoj për këtë,” tha sulmuesi 25-vjeçar.
Ndërkohë, në Madrid, të gjithë “kryqëzojnë gishtat” që ky guxim të mos i kushtojë shtrenjtë, sepse në “Santiago Bernabéu” askush nuk dëshiron që ‘ylli’ i tyre të mbërrijë i dëmtuar për përplasjen e madhe ndaj Barcelonës.