Gjyqtari anglez, Anthony Taylor, një nga emrat më të njohur në Premier League prej gati 15 vitesh, ka rrëfyer për BBC Sport momentin më të vështirë të karrierës së tij dhe në qendër të kësaj ngjarjeje ndodhet José Mourinho.
Ngjarja i përket finales së UEFA Europa League në vitin 2023, kur Roma e drejtuar nga Mourinho u mund nga Sevilla pas penalltive. Pas ndeshjes, tekniku portugez akuzoi hapur arbitrin për padrejtësi, duke e quajtur gjykimin “të turpshëm”. Taylor, që kishte ndarë 13 kartonë të verdhë dhe kishte dhënë plot 25 minuta shtesë në total, u bë shënjestër e zemërimit të tifozëve romanistë.
Disa orë pas finales, në aeroportin e Budapestit, gjyqtari u përball me një turmë tifozësh të irrituar, ndërsa ishte në shoqërinë e familjes së tij. “Ajo ishte situata më e keqe e abuzimit që kam përjetuar ndonjëherë,” tregoi Taylor.
“Jo vetëm sepse isha me familjen, por sepse të bën të kuptosh se si sjellja e njerëzve mund të ndikojë te të tjerët. Edhe në një ndeshje si ajo, ku realisht nuk kishte ndonjë gabim të madh.”
I pyetur nëse deklaratat e Mourinho-s mund të kenë nxitur reagimin e tifozëve, Taylor u shpreh pa hezitim:
“Po, nëse jemi të sinqertë, po. Mendoj se qëndrimi i tij kishte ndikim të drejtpërdrejtë.”
Gjyqtari anglez shtoi se përvoja në aeroport i ka lënë pasoja të rënda personale: “Ishte një ndjenjë zhgënjimi, zemërimi dhe trishtimi. Nuk e kuptoj pse një sjellje e tillë duhet të konsiderohet e pranueshme.
Jam i sigurt se ata njerëz nuk do të donin që dikush t’u fliste ashtu atyre apo fëmijëve të tyre. Që prej asaj dite, familja ime nuk ka ardhur më të më shikojë në asnjë ndeshje.”
Një dëshmi e fortë nga një gjyqtar me përvojë, që hedh dritë mbi presionin dhe pasojat që mund të ketë fjalimi publik i trajnerëve pas ndeshjeve, sidomos kur në fjalë janë emra si José Mourinho.