Paul Pogba ishte pothuajse në prag të rikthimit në fushë, por një pengesë e re ka shfaqur sërish vështirësi në rrugën e tij. Rikthimi i tij në fushë dukej se do të ndodhte pas pushimit të kombëtareve, në javën e ardhshme të Ligue 1.
Megjithatë, një dëmtim ka komplikuar sërish planet e tij.
Pogba ka ndier dhimbje në kofshën e djathtë gjatë stërvitjes, të cilat duhet të vlerësohen me kujdes nga stafi mjekësor për të shmangur rikthime të mundshme. Ky dëmtim shton një tjetër pikëpyetje mbi datën e rikthimit të tij, e njohur si një ecuri problematike në vitet e fundit.
Në tre muajt e parë që kur u transferua te Monaco, Pogba nuk ka arritur të luajë asnjë minutë në fushë, aty ku më parë kishte treguar potencialin e tij më të madh me fanellat e Juventusit dhe Manchester United, duke mahnitur dhe fituar katër tituj kampion të Italisë me “Zonjën e Vjetër” dhe një Europa League me “Djajtë e Kuq”.
Sigurisht, ato kohë janë larg, por shpresa e Pogba-s mbetet e gjallë: të mund të luajë sërish në skenat më të mëdha të futbollit europian dhe të shndritë përsëri pas shumë netëve të errëta.
Këtë e dëshmonin edhe lotët që e shoqëruan prezantimin e tij te Monaco vetëm disa muaj më parë, duke shënuar një fillim të ri plot emocione.
Realiteti, megjithatë, është se rruga drejt rikthimit është ende e gjatë dhe e vështirë.