IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarë policorë në Klinë

- Bota Sot

IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarë policorë në Klinë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë nën dyshimet se më 19 shtator në Klinë, nuk kanë raportuar veprimet dhe rrethanat që përbëjnë elemente të veprës penale moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre.

Hetuesit e IPK-së ditë më parë kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me një incident në Klinë ku dyshohej se janë përfshirë tre zyrtarë policorë, raporton KosovaPress.

Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Klinë, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.

Rekomandimi për suspendim të përkohshëm të zyrtarëve policorë është ndërmarrë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot