Trajneri i njohur, Bekim Isufi, ka folur para ndeshjes së sotme të Kosovës kundër Sllovenisë, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
I ftuar në emisionin “Kosova Today”, e ka cilësuar këtë përballje si tejet të rëndësishme për objektivat e “Dardanëve”, duke theksuar se skuadra po hyn me momentum pozitiv.
“Është një ndeshje që realisht i hap rrugën synimeve që i presim për Kombëtaren tonë.
Mendoj se pas atij barazhi me Maqedoninë, është momenti që Kosova ta tregojë potencialin dhe të afrohet me qëllimin e saj”, tha Isufi.
Ai shtoi se loja si vendas është një përparësi, por paralajmëroi se Sllovenia nuk duhet nënvlerësuar.
“Kur luan si vendas është gjithmonë më mirë, por Sllovenia është një kombëtare me përvojë, pjesëmarrëse në gara botërore dhe me strukturë të organizuar prej vitesh”, u shpreh Isufi.