Grupi K i kualifikueseve të Kupës së Botës 2026 është ndezur plotësisht, dhe Kombëtarja e Shqipërisë ndodhet në një moment vendimtar për fatin e saj në këtë garë. Para ndeshjes së sotme në udhëtim ndaj Serbisë (ora 20:45), kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në grup me 8 pikë pas 5 ndeshjeve të zhvilluara.
Skuadra e Sylvinhos ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje, me një golavarazh pozitiv 5:3. Një rezultat pozitiv sonte në Beograd do ta forconte ndjeshëm pozitën e Shqipërisë në garën për vendin e dytë, që garanton pjesëmarrjen në “play-off”-in e Botërorit.
Në krye të grupit qëndron Anglia me 15 pikë të plota, e ndjekur nga Shqipëria me 8, ndërsa Serbia me një ndeshje më pak renditet e treta me 7 pikë. Pas tyre janë Letonia me 4 pikë dhe Andorra pa asnjë pikë pas pesë humbjeve radhazi.
Për Serbinë, kjo ndeshje është po aq jetike, pasi fitorja do ta ngjiste sërish në vendin e dytë. Megjithatë, Shqipëria mbetet me moral të lartë pas paraqitjeve të mira në ndeshjet e fundit, duke kërkuar të përsërisë suksesin e arritur në transfertat e fundit.
Pritet një sfidë e zjarrtë, me kuqezinjtë që synojnë rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit për Kupën e Botës 2026.