Kosova në futboll ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Suedinë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.
Sipas njoftimit nga FFK-ja, futbollisti Elvis Rexhbeçaj është larguar nga grumbullimi, i cili nuk arriti të rikuperohet plotësisht nga lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Sllovenisë.
Kujtojmë që dje nga grumbullimi janë liruar Fidan Aliti, për shkak të pezullimit me kartonë, si dhe Lumbardh Dellova, i cili nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht nga lëndimi.
”Kombëtarja e Kosovës e ka përmbyllur ciklin stërvitor në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj Suedisë, që zhvillohet të hënën në Goteborg.
Seanca e fundit u mbajt sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku përzgjedhësi Franco Foda punoi kryesisht në aspektin taktik, duke provuar detajet e lojës me të cilën synon të paraqitet në këtë sfidë.
Stërvitja ishte pa ngarkesa të mëdha fizike, ndërsa atmosfera brenda grupit mbetet mjaft pozitive dhe futbollistët janë maksimalisht të motivuar.
Nga grumbullimi është liruar Elvis Rexhbeçaj, i cili nuk arriti të rikuperohet plotësisht nga lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Sllovenisë.
Dardanët do të udhëtojnë sot në orën 15:00 drejt Goteborgut, ku nesër do të zhvillohet edhe dueli i radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.”, thuhet në njoftim.
Ndeshja Suedi – Kosovë zhvillohet ditën e hënë, me 13 tetor, duke filluar nga ora 20:45.