Ishte minuta e parë shtesë e pjesës së parë, ajo e njëjtë me 7 qershorin. Atëherë, në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, Rey Manaj kishte humbur një penallti. Gjuajtja nuk ishte e keqe, por portieri serb e kishte lexuar drejt dhe kishte pritur.
Takimi përfundoi pa gola, ndërsa mbi Manajn u derdhën kritika të shumta, madje edhe fyerje, disa prej tyre me tone familjare. Ato fjalë e kishin lënduar sulmuesin lushnjar. Por ai nuk u dorëzua.
Të shtunën mbrëma, historia u përsërit, por me fund krejt ndryshe. Përsëri minuta e parë shtesë e pjesës së parë, përsëri Rey Manaj në qendër të vëmendjes. Me një goditje të fortë dhe të saktë, ai dërgoi topin në rrjetë dhe vulosi fitoren 1-0 të Shqipërisë ndaj Serbisë në Leskovc.
Manaj shpërtheu në festë, duke formuar me duar shqiponjën dykrenare. E gjithë skuadra iu bashkua dhe në ato çaste dukej sikur festonte çdo shqiptar, kudo që ndodhej.
Rezultati 1-0 mund të duket i ngushtë, por domethënia e kësaj fitoreje është e jashtëzakonshme. Është ndër më të mëdhatë në historinë e futbollit shqiptar, një mbrëmje krenarie që u ndje në çdo qytet ku valëvitet flamuri kuqezi.
Dhe kështu, Rey Manaj nga i kritikuar u shndërrua në hero. Goli i tij dhe festa me shqiponjë do të mbeten gjatë në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Në të vërtetë, Manaj gjithmonë ka dhënë maksimumin për kombëtaren. Edhe kur nuk ka shënuar, ka luftuar, ka vrapuar, ka përplasur trupin për çdo top. Ka qenë gjithnjë i pranishëm në fushë me energji e pasion. Sylvinho i ka besuar, dhe 28-vjeçari e shpërbleu në mënyrën më të bukur të mundshme, me një gol që ndezi gjithë kombin.
“Sot është një nga ditët më të bukura të jetës sime,” tha Manaj pas ndeshjes. “Pas asaj të parës ndaj Serbisë, pati komente që nuk i meritoja.
Të gjithë kemi familje, motra, prindër… por këto duhet t’i harrojmë. Sot Shqipëria dhe Kosova janë krenare për këtë ndeshje. Kemi lënë shpirtin në fushë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, kemi edhe dy ndeshje të tjera përpara, dhe do të bëjmë gjithçka për Botërorin.”
Ai theksoi se nuk ka rëndësi kush luajti, por fakti që fitoi Shqipëria:
“Këto janë momente që ndodhin një herë në jetë. Ka kaluar 11 vjet nga hera e fundit, dhe tani i mundëm përsëri në shtëpinë e tyre. Futbolli ecën shpejt, ndaj duhet ta shijojmë këtë moment.”
Festa e tij me shqiponjë i solli një karton të verdhë, por Manaj e pranoi me buzëqeshje: “Nuk e kam parë kartonin dhe nuk jam aspak pishman.”
Sot ai numëron 43 paraqitje dhe 10 gola me fanellën kuqezi. Debutoi më 16 nëntor 2015, ndërsa golin e parë e realizoi ndaj Moldavisë në vitin 2019. Më pas ka shënuar ndaj Andorrës, Kazakistanit, Bjellorusisë, San Marinos, Azerbajxhanit, dhe tani, ndaj Serbisë, në njërën nga ndeshjet më të mëdha të historisë kuqezi.
Në Leskovc, Rey Manaj nuk shënoi thjesht një gol. Ai mbylli një plagë të vjetër dhe solli një fitore që do të kujtohet për breza.