Kuqezinjtë rikthehen në Tiranë, luajmë me Jordaninë, por fokusi total është tek Andorra

- Bota Sot

Kuqezinjtë rikthehen në Tiranë, luajmë me Jordaninë, por fokusi total është tek Andorra

Festa për fitoren historike ndaj Serbisë ka zgjatur pak. Kombëtarja shqiptare është kthyer menjëherë në realitet dhe sot ka rifilluar përgatitjet për ndeshjen e ardhshme, atë miqësore me Jordaninë në ‘Air Albania”, edhe pse fokusi është tek eliminatorja ndaj Andorrës në transfertë, muajin e ardhshëm, e cila mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin në “play-off”-in e Botërorit 2026.

Pas një nate të gjatë udhëtimi, kuqezinjtë mbërritën në Tiranë dhe u rikthyen pasditen e së dielës në stërvitje, në “Shtëpinë e Futbollit”.

Stafi teknik, i drejtuar nga Sylvinho, ka vendosur që fokusi të mbetet maksimal, pasi asgjë nuk është mbyllur ende në Grupin K.

Shqipëria kryeson garën për vendin e dytë, por ka ende dy ndeshje të rëndësishme përpara  ndaj Andorrës dhe më pas Anglisë në “Air Albania”.

Sipas planit të përgatitur nga stafi teknik, në fushën e stërvitjes u paraqitën vetëm lojtarët që nuk luajtën në duelin e fundit ndaj Serbisë, si dhe ata që morën pak minuta në pjesën e dytë. Këta lojtarë zhvilluan një seancë intensive për të mbajtur ritmin fizik.

Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit që mbajti peshën kryesore të takimit kundër Serbisë, mori një ditë pushimi aktiv për të rikuperuar energjitë pas përballjes së fortë në Leskovac.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua Myrto Uzunit, i cili ndjeu një mbingarkesë muskulore pas ndeshjes, por u pa duke kryer vrapime të lehta nën drejtimin e përgatitësit atletik, për të qenë gati në ditët e ardhshme.

Në ambientin e ekipit, atmosfera është pozitive, por edhe shumë e përqendruar. Të gjithë janë të vetëdijshëm se fitorja ndaj Serbisë, sado e rëndësishme të ketë qenë, nuk garanton ende asgjë.

Shqipëria ka nevojë për tri pikë të tjera ndaj Andorrës, madje për të qenë e përgatitur për çdo skenar, synohet edhe një fitore me diferencë golash.

Në një grup ku çdo gol mund të ketë peshë në renditjen përfundimtare, Sylvinho kërkon që skuadra të ruajë intensitetin, seriozitetin dhe urinë për sukses deri në fund, pa neglizhuar as në miqësoren e së martës ndaj Jordanisë. Mesazh i qartë nga kampi kuqezi: festa ka mbaruar, beteja vazhdon. Asgjë nuk është fituar ende, por gjithçka është në duart e Shqipërisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot