Kombëtarja e Kosovës përballet sonte me Suedinë në ndeshjen e katërt të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive në Grupin B. Takimi do të zhvillohet në “Friends Arena” të Stokholmit me fillim nga ora 20:45.
Pas tre ndeshjeve të para, Kosova renditet e dyta në grup me 4 pikë, falë një fitoreje, një barazimi dhe një humbjeje. “Dardanët” kanë shënuar 2 gola dhe kanë pësuar 4, ndërsa vijnë në këtë sfidë pas një barazimi të vlefshëm ndaj Sllovenisë.
Në anën tjetër, Suedia gjendet në fund të grupit me vetëm 1 pikë, pas një fillimi të dobët me dy humbje dhe një barazim.
Në krye të tabelës qëndron Zvicra me 9 pikë të plota dhe një golavarazh mbresëlënës prej 9:0, duke qenë favoritja kryesore për vendin e parë.
Një rezultat pozitiv sonte do ta forconte pozitën e Kosovës në garën për një vend në zonën e kualifikimit dhe do të rriste ndjeshëm moralin e skuadrës para ndeshjeve të radhës.