Prokuroria ngrin pasuri mbi 10 milionë euro në rastin ‘Prona e Veternikut’

- Bota Sot

Prokuroria ngrin pasuri mbi 10 milionë euro në rastin ‘Prona e Veternikut’

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngrirë pasuri në vlerë mbi 10 milionë euro në rastin e njohur si “Prona e Veternikut”.

Sipas komunikatës për media, më 13 tetor 2025, gjatë zhvillimit të hetimeve, është lëshuar urdhër ndalues i përkohshëm për gjithsej 7 hektarë tokë, ndërsa është kërkuar nga gjykata që të ndalojë çdo veprim që do të mundësonte “shitjen, transferimin, dhurimin, zvogëlimin dhe ngarkimin e pronës në fjalë” deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Prokuroria ka bërë të ditur se prona prej 7 hektarësh dyshohet të jetë përfituar me vepër penale. Në komunikatë thuhet se “Prokurori i Shtetit është duke i zhvilluar hetimet me intensitetin më të lartë” dhe se për të pandehurit A.G., Y.H. dhe M.G. është nxjerrë vendim për zgjerimin e hetimeve edhe në drejtim të veprave penale ‘Falsifikim i dokumenteve’ sipas nenit 390 dhe ‘Deklarimet e rreme’ sipas nenit 384 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

"Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjshmërisë dhe trajtimin e rasteve me përkushtim maksimal", theksohet në njoftim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot