Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, ka bërë thirrje për kujdes maksimal ndaj Izraelit, në prag të ndeshjes së rëndësishme të kualifikimeve për Botërorin 2026, që do të zhvillohet të martën në Udine.
Një fitore do t’u siguronte “azzurrëve” vendin në “play off”, por Gattuso ka paralajmëruar se kundërshtari ka cilësi dhe nuk duhet nënvlerësuar.
Italia ka rritur gjasat për kualifikim pas fitores 3-1 ndaj Estonisë javën e kaluar, duke u ngjitur në vendin e dytë në Grupin I me dymbëdhjetë pikë dhe një ndeshje më pak se Norvegjia kryesuese (tetëmbëdhjetë pikë). Izraeli ndodhet tri pikë pas italianëve dhe ka vetëm një takim të mbetur pas duelit të së martës. Fituesi i grupit kualifikohet direkt në Botëror, ndërsa vendi i dytë shkon në “play off”.
“Ata do të japin gjithçka dhe do të luajnë me presion përpara. Nga mesfusha e lart kanë lojtarë cilësorë që mund të na krijojnë probleme”, ka thënë Gattuso në konferencën për shtyp.
Kampionët e katërfishtë të botës synojnë të rikthehen në skenën më të madhe të futbollit pas një mungese që zgjat që nga viti 2014, pasi kanë humbur dy edicionet e fundit të Kupës së Botës, një dështim i madh në një vend ku futbolli është fe.
Italia do të jetë pa sulmuesin Moise Kean, i cili ka mbetur i lënduar në ndeshjen ndaj Estonisë, dhe pa mbrojtësin Alessandro Bastoni, i pezulluar.