Shqipëria dhe Kosova në play-off të Botërorit/ Shihni si janë vazot e shortit pas ndeshjeve

- Bota Sot

Shqipëria dhe Kosova në play-off të Botërorit/ Shihni si janë vazot e shortit pas ndeshjeve

Shqipëria dhe Kosova kanë siguruar fitore të rëndësishme këtë javë në kualifikueset e Botërorit dhe tashmë e shohin veten në vendin e dytë në renditjen e grupeve përkatëse, vetëm një hap larg sigurimit të play-off për zonën Europiane të turneut.

Formula e veçantë e play-off përfshin 12 skuadrat e dyta në grupe si dhe 4 skuadrat që nuk kanë qenë në dy vendet e para në grupet përkatëse, të cilat kanë hyrë nëpërmjet renditjes në Ligën e Kombeve.

Në situatën aktuale pas ndeshjeve të së hënës, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, e shohin veten në vazon e tretë. Duhet theksuar se renditja për tre vazot e para, bëhet duke marrë për bazë klasifikimin e FIFA-s. Ndërsa skuadrat e Ligës së Kombeve, edhe pse me renditje më të lartë në FIFA, shkojnë direkt në vazon e katërt.

Formula e play-off është me gjysmëfinalet e një skuadre të vazo 2 si pritëse kundër një skuadre të vazos 3. Ndërsa një skuadër e vazos 1 është pritëse ndaj nëj skuadre të vazos 4. Në finalet, të cilat luhen po me ndeshje teke, fituesi i një çifti 1-4 luan kundër fituesit të një çifti 2-3, me vendin pritës që caktohet me short.

Në situatën aktuale, katër kundërshtarët e mundshëm për Shqipërinë dhe Kosovën janë Skocia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia.

VAZOT E PLAY-OFF

VAZO 1: Itali, Turqi, Ukrainë, Poloni

VAZO 2: Skoci, Hungari, Çeki, Sllovaki

VAZO 3: Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë

VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut



Lexoni të gjitha në Bota Sot