Adoleshentët ukrainas gjykohen si “terroristë” në Rusi

- Bota Sot

Adoleshentët ukrainas gjykohen si “terroristë” në Rusi

Në ditët e para të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, vendlindja e Viktor Azarovskyt, Melitopoli, shpejt u pushtua nga trupat ruse.

Pavarësisht se ushtria mori kontrollin e qytetit të tij, që gjendet në rajonin juglindor të Zaporizhjës, jeta e këtij adoleshenti mbeti kryesisht e njëjtë, edhe pse ai tani mësonte nga distanca në një shkollë ukrainase.

Por, në fund të tetorit të vitit 2023, kur ai ishte 16 vjeç, persona të panjohur e ndaluan Azarovskyn teksa ai po dilte nga shtëpia e tij. Ai tani po përballet me gjykim në Rusi nën akuzat se ka organizuar një grup që planifikonte një sulm terrorist, sabotim, si dhe prodhim dhe ruajtje të mjeteve plasëse.

Azarovsky është një nga disa adoleshentë ukrainas që janë dërguar në Rusi dhe po përballen me akuza për spiunazh, sabotim, tradhti dhe terrorizëm – krime për të cilat mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe avokatët thonë se nuk ka dëshmi.

Kateryna Bobrovska, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe avokate, ka ndihmuar në kthimin në shtëpi të fëmijëve që u dëbuan në Rusi dhe përfaqëson Azarovskyn.

“Një furgon i bardhë u ndal, dhe njerëz të veshur me të zeza, me maska, e tërhoqën atë në makinë. Fqinjët panë çfarë ndodhi”, i tha ajo Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Dy adoleshentë të tjerë nga Melitopoli, Oleg Shokola dhe Denis Vasilik, u arrestuan në të njëjtën kohë dhe po përballen me të njëjtat akuza si Azarovsky.

Periudha menjëherë pas arrestimit të Azarovskyt ishte një kohë e vështirë për familjen e tij. “Askush nuk kuptonte se çfarë po ndodhte”, tha Bobrovska.

“Me Viktorin nuk mund të binim në kontakt. Pas një kohe, dëshmitarë okularë e panë dhe më thanë se ai ishte i lodhur, shumë i frikësuar dhe kishte shenja të rrahjes dhe torturës”, shtoi ajo.

Aktualisht, tre të rinjtë po përballen me gjyq në Rusi. Një kopje e një vendimi të mëparshëm të një gjykate ruse, që e ka siguruar nga REL-i, tregoi se Azarovsky u arrestua më 31 tetor 2023. Dy adoleshentët e tjerë, Shokola dhe Vasilik, u arrestuan pak para tij. Në kohën e arrestimeve të tyre, Vasilik ishte 16 vjeç dhe Shokola 17 vjeç.

Sipas një kopjeje të një vendimi të një gjykate ruse, hetimi u krye në Melitopolin e pushtuar nga Rusia. Më pas tre djemtë u transferuan në një qendër ndalimi në Mariupol, një tjetër qytet në juglindje të Ukrainës që u mor nën kontroll nga forcat ruse në maj të vitit 2022. Më pas, ata u dërguan në një qendër ndalimi në Taganrog, qytet-port në jugperëndim të Rusisë, ku po mbahen në qeli me të burgosur në moshë madhore.

“Viktori e festoi ditëlindjen e 18-të atje”, tha Bobrovska. “Qelia është për tetë njerëz, por aty janë 16”, tha ajo.

Për klientin e saj, e gjithë kjo ka qenë torturë, tha Bobrovska. “Ai nisi që të kishte probleme serioze me lëkurë – mezi flinte, mezi hante, dhe lëkura në duart e tij iu bë me kore të trasha. Asnjë vizitë te mjeku nuk i kreu punë”.

Sipas kopjes së një vendimi gjyqësor, që nga nëntori i vitit 2024, rasti ndaj tre adoleshentëve ukrainas po trajtohet nga Gjykata Ushtarake e Qarkut Jugor në Rostov-on-Don, një qytet i madh në jugperëndim të Rusisë. Gjykata ende nuk ka marrë vendim. Megjithatë, tre ukrainasit po vazhdojnë të mbahen në paraburgim, në atë që autoritetet ruse e kanë cilësuar si masë parandaluese.

“Ata janë torturuar dhe janë detyruar që të tregonin një histori që kurrë nuk ka ndodhur. Ata janë akuzuar se kishin tentuar që të hidhnin në ajër një nënkolonel të policisë ruse dhe se kishin vendosur eksplozivë në shinat e trenit. Me fjalë të tjera, fëmijët ukrainas u shpallën ‘terroristë’”, tha Bobrovska.

Sipas avokates, nuk ka asnjë provë për këtë. “Gjatë kontrollit, ata sekuestruan pajisje – telefona dhe kompjuterë – dhe nuk gjetën asgjë”.

Kateryna Rashevska, avokate në Qendrën Rajonale për të Drejtat e Njeriut, me seli në Ukrainë, tha se këto akuza serioze me të cilat përballen adoleshentët – për planifikim të një akti terrorist dhe prodhim dhe ruajtje të eksplozivëve si pjesë e një grupi të organizuar – mund të rezultojnë me burgim të përjetshëm.

E vërteta se çfarë kanë bërë adoleshentët – nëse kanë bërë diçka – është vështirë që të përcaktohet. Pavarësisht kësaj, sipas Rashevskas, autoritetet ruse kanë kryer shkelje të panumërta: ndalime arbitrare, përndjekje ligjore të motivuara politikisht, dëbime, tortura të mundshme dhe duke ua hequr të drejtën të ndaluarve për një gjykim të drejtë.

Janë dy skenarë që Rashevska ka marrë në konsideratë. Skenari i parë supozon se fëmijët me të vërtetë po planifikonin një krim, se ata ishin mbledhur, kishin bërë kokteje molotovi ose eksplozivë të tjerë dhe kishin planifikuar një sabotim. Në atë skenar, sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare, adoleshentët do të kishin statusin e individëve që marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi.

“Kjo në mënyrë efektive ua heq atyre statusin e mbrojtur si civilë, por nuk i bën luftëtarë. Individë të tillë, në përputhje me normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare, mund të ndiqen penalisht, por jo si terroristë”, tha Rashevska.

Nëse do të ishte ky rasti, Rusia do të kishte bazë ligjore sipas Nenit 78 të Konventës së Gjenevës për t’i internuar adoleshentët – do të thotë për t’ua kufizuar ligjërisht lirinë për një periudhë të caktuar kohore për shkak të shqetësimeve të sigurisë të shtetit pushtues.

Por, thelbësore është, tha Rashevska, se në dokumentet gjyqësore që ajo ka parë, nuk ka asnjë referencë ndaj së drejtës humanitare ndërkombëtare, regjimit të internimit, apo statusit të fëmijëve si individë që marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi.

“Këto nuk përmenden. Ata po ndiqen penalisht si kriminelë”, u shpreh Rashevska.

Sipas skenarit të dytë që Rashevska e ka konsideruar, adoleshentët janë krejtësisht të pafajshëm dhe nuk kishin planifikuar asnjë sulm.

Sipas avokates, ajo ka pasur një rast të ngjashëm në rajonin e Zaporizhjës, ku adoleshentë u arrestuan për gjoja heqjen e flamujve rusë nga ndërtesat administrative dhe shpërndarjen e posterëve. Ata u akuzuan për pjesëmarrje në një organizatë terroriste dhe përgatitje të një sulmi terrorist.

Kur këta adoleshentë fillimisht u arrestuan, tha Rashevska, nuk u gjetën eksplozivë. Por, më vonë avokatja tha se adoleshentët ishin viktimë e një kurthi, për të cilin ajo fajësoi Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), i cili më pas pretendoi se kishte gjetur disa eksplozivë.

“Nëse nuk ka pasur qëllim kriminal në këtë situatë, fëmijët kanë status civil, ata mbesin civilë. Ata nuk morën pjesë në asnjë operacion luftarak dhe nuk bashkëpunuan në asnjë mënyrë me forcat e armatosura ukrainase. Një gjë e tillë do të thotë se ata patjetër që janë privuar arbitrarisht nga liria e tyre”, tha Rashevska për REL-in.

Megjithatë, tha Rashevska, në asnjë rrethanë zyrtarët në territoret e pushtuara apo në Rusi nuk duhet të kenë të drejtën t’i dëbojnë djemtë në Rusi – as për seanca gjyqësore, as për ndonjë veprim hetimor. Kjo gjë ndalohet në bazë të Nenit 4 të Konventës së Gjenevës dhe kualifikohet si krim lufte, tha Rashevska.

Numri i të miturve të dëbuar në Rusi për gjykim mbetet i paqartë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës i tha Radios Evropa e Lirë se, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, ata kanë regjistruar 12 raste të të miturve të arrestuar në rajonet e Donjeckut, Zaporizhjës, Harkivit dhe Hersonit. Akuzat kanë të bëjnë përfshirje në dhënien e informacionit të objektivave për forcat e armatosura ukrainase, spiunazh dhe tradhti.

Pyetja kryesore është nëse ndonjëri prej këtyre adoleshentëve do të mund të kthehet ndonjëherë në shtëpi, në Ukrainë. Avokatja Rashevska vuri në pah se kur një çështje penale është e hapur ose nëse ka pasur një vendim gjyqësor, është jashtëzakonisht e vështirë që personi të kthehet në shtëpi.

Ndërsa këmbimet e të burgosurve ushtarakë ndodhin pak a më shumë në baza të rregullta, tha Rashevska, kthimi i civilëve është një proces më i ndërlikuar dhe i paparashikueshëm.

Megjithatë, ka disa arsye për të shpresuar. Ka pasur raste – sikurse aktivistët për të drejtat e njeriut Maksym Butkevych dhe Leniye Umerova – të cilët u burgosën në Rusi dhe më pas u liruan dhe u kthyen në shtëpi, në Ukrainë.

“Viktori festoi ditëlindjen e tij të 18-të aty. Qelia është për 8 persona, por ishin 16. Djemtë u torturuan në mënyrë jashtëzakonisht të keqe. Ai filloi të kishte probleme serioze me lëkurën – mezi mund të flinte, nuk hante, dhe lëkura e duarve të tij iu mbulua me kore të trashë”, i tha Bobrovska për REL-in.

Sipas një kopjeje të një vendimi gjyqësor, që nga nëntori i vitit 2024, rasti i tre adoleshentëve ukrainas po shqyrtohet nga Gjykata Ushtarake e Qarkut Jugor në Rostov-on-Don, në Rusi.

Ende nuk është marrë një vendim për rastin. Megjithatë, këta tre djem po mbahen në paraburgim si masë parandaluese, tha avokatja.

“Ata u torturuan aty dhe u detyruan të tregojnë një histori që kurrë nuk kishte ndodhur. Ata u akuzuan se kishin tentuar të hidhnin në ajër një nënkolonel të policisë ruse dhe se kishin vendosur eksplozivë në shinat e trenit. Me fjalë të tjera, fëmijët ukrainas u shpallën ‘terroristë’. Gjykatësja do të marrë vendimin që ata duan. Ajo nuk dëgjon aspak. Gjatë kontrollit, ata sekuestruan pajisje – telefona, kompjuterë – dhe nuk gjetën asgjë, nuk ka asnjë provë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot