Pas triumfit historik të Kombëtares së Kosovës ndaj Suedisë me rezultat 1-0, trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka reaguar me një status frymëzues në rrjetet sociale. Ai ka uruar futbollistët dhe ka theksuar se sporti po sjell ditë të bukura krenarie për kombin shqiptar.
“Ecim tutje drejt majave evropiane e botërore! Ditë të bukura për kombin na sjelli sporti, kësaj radhe futbolli! E nisi shteti amë Shqipëria, e vazhdoi Kosova jonë, na dhuruan sport, emocion e shumë krenari,” ka shkruar Kuka.
Më tej, trajneri i suksesshëm i xhudos ka theksuar se shqiptarët kanë dëshmuar se mund të arrijnë çdo majë suksesi, si në sportet individuale ashtu edhe në ato ekipore.
“Por të ecim tutje… kemi dëshmuar që mundemi të ecim e fluturojmë lart e më lart! Individualisht kemi prekur çdo të arritur planetare, shkojmë tash përpara edhe si ekip. Kosova mbi të gjitha,” përfundon Kuka.