Tre karabinierë kanë humbur jetën dhe 15 persona janë plagosur, përfshirë ushtarakë dhe policë, pas një shpërthimi të fuqishëm në një ndërtesë dykatëshe në Castel D’Azzano, në provincën e Veronës.
Forcat e rendit ndodheshin në vendngjarje për të bërë shpërnguljen e banorëve, kur ndodhi shpërthimi shkatërrues që rrëzoi të gjithë ndërtesën, duke zënë poshtë pjesëtarë të forcave të sigurisë.
11 karabinierë janë dërguar me urgjencë në spitale, në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, 4 agjentë të njësive speciale të policisë dhe 7 zjarrfikës kanë pësuar lëndime dhe janë nën kujdes mjekësor.
Në vendngjarje janë angazhuar 25 njësi shpëtimi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit.