Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur në zonën e Veronës, ku tre karabinierë humbën jetën dhe dhjetëra persona të tjerë, përfshirë pjesëtarë të forcave të rendit dhe zjarrfikës, mbetën të plagosur si pasojë e një shpërthimi gjatë një operacioni dëbimi në Castel D’Azzano.
“Ngushëllimet e mia më të thella, dhe ato të qeverisë, shkojnë për familjet e viktimave”, shkroi Meloni, duke shtuar se i ka shprehur personalisht keqardhjen Komandantit të Përgjithshëm të Karabinierëve, Gjeneral Salvatore Luongo.
Kryeministrja gjithashtu uroi shërim të shpejtë për të plagosurit dhe falënderoi personelin mjekësor dhe forcat e emergjencës për reagimin e menjëhershëm dhe profesional.
“Po ndjek me shqetësim dhe pikëllim zhvillimet e kësaj çështjeje dramatike, e cila na kujton edhe një herë vlerën dhe sakrificën e përditshme të atyre që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve të tij”, theksoi Meloni në deklaratën e saj.