“Shpërthimi” i Dion Gallapenit

- Bota Sot

“Shpërthimi” i Dion Gallapenit

Ndonëse kishte mundësi të bëhej pjesë e Shqipërisë, për moshat U-21, ai megjithatë i besoi projektit të Kosovës dhe iu tha “PO” Dardanëve.

Dhe, duket se majtaku e bëri zgjedhjen e duhur pasi shpejt doli në pah dhe u bë pjesë e rëndësishme e ekipit të Franco Fodës.

Kosova kishte probleme në krahun e majtë në vitet e fundit dhe me diamantin e ri, Dion Gallapeni në fushë, gjithçka ka ndryshuar.

Ai po i sjell siguri fazës defanzive me ndërhyrjet dhe me mbrojtjen e tij, ndërsa energjinë që e posedon po jep kontribut edhe në fazën ofanzive.

Pra, Kosova ka bërë zgjidhje afatgjate në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa për nga kualiteti, mençuria dhe qetësia që e posedon, ai po krahasohet me Mario Mitajn e Shqipërisë.

Gjatë verës Gallapeni e bëri një hap të rëndësishëm në karrierë, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar, duke iu bashkuar ekipit polak Widzew Lodz, me të cilin nënshkroi kontratë katërvjeçare.

Majtaku i zhdërvjelltë i ka zhvilluar shtatë ndeshje me Kombëtaren A të Kosovës, ndërsa më parë kishte luajtur edhe për Kosovën U-21.

Karrierën e kishte nisur në ekipin Winner Prizren para se të përfundonte tek Prishtina në vitin 2023, ku qëndroi për dy vjet.

Pa dyshim, Gallapeni është një pasuri për Kombëtaren e Kosovës.

E nëse vazhdon me formë të tillë, në të ardhmen nuk është çudi nëse e shohim duke luajtur në një klub më të madh evropian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot