Kosova është një shtet i suksesshëm, i ndihmuar dhe i krijuar nga Amerika. Interesat strategjike të Amerikës dhe Kosovës përputhen me njëra-tjetrën. Kosova është mike e përhershme dhe partnere e besueshme për Amerikën. Dialogu strategjik midis Kosovës dhe Amerikës duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është hapi më i rëndësishëm përpara;
Këto ishin disa nga përfundimet e takimit të mbajtur disa ditë më parë, ku mora pjesë si Drejtor Ekzekutiv i LQSHA (Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane), së bashku me aktivistin Behlul Gashi, President i organizatës "Shqipëria Tjetër " për SHBA me Bordin, si dhe miq e aktivistë të tjerë, në restorantin e z. Gashi në New Rochelle.
Kongresisti Self ishte i interesuar të dëgjonte nga ne se kush po e shtyn agjendën kundër qeverisë së Kurtit. Ishim të pajtimit se, ndërsa Serbia është burimi i të gjitha problemeve në Ballkan, në Kosovë janë opozita dhe mediat e kontrolluara prej tyre, në bashkëpunim me oligarkët dhe ish-ambasadorin Grenell, i cili përfaqëson interesat serbe.
Edhe pse Grenell nuk mban ndonjë pozitë të rëndësishme në administratën Trump, ka përdorur lidhjet e tij për të ushtruar presion mbi Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë kundër Kurtit, të cilin e urren tej mase. Ky rezultoi të ishte një takim shumë i rëndësishëm në mbështetje të Republikës së Kosovës.