Ish-gjyqtari i Premierligës, David Coote, është shpallur fajtor për realizimin e një videoje të pahijshme me një djalë 15-vjeçar.
43-vjeçari u akuzua më 12 gusht, pas një hetimi nga Policia e Nottinghamshire.
Ngjarja ndodhi pas shkarkimit të tij nga organi zyrtar i gjyqtarëve anglezë, “Professional Game Match Officials Limited (PGMOL)”, në dhjetor, për shkak të një ofendimi online ndaj ish-trajnerit të Liverpoolit, Jürgen Klopp.
Sot, Coote pranoi fajësinë për realizimin e një videoje të kategorisë A – kategoria më e rëndë – me një djalë 15-vjeçar në janar 2020.
Gjykata e Nottingham Crown dëgjoi se “tërheqja seksuale” e tij ndaj fëmijëve u zbulua gjatë një hetimi të nisur nga Federata Angleze e Futbollit (FA).
Gjatë ekzaminimit të dy telefonave celularë, hetuesit zbuluan “biseda shqetësuese”, ndërsa Coote u arrestua pasi videoja u gjet në një laptop Dell, i aksesuar për herë të fundit më 2 janar 2020.
Kategoria A është më e rënda dhe mund të dënohet deri në tre vite burg.
Akti i “realizimit të një imazhi të pahijshëm të një fëmije” nënkupton shkarkimin, ndarjen ose ruajtjen e materialeve abuzive.
Gjatë seancës, gjykatësja i tha Cootes, i cili qëndronte në bankën e të akuzuarve me duart e mbledhura përpara: “Ju keni pranuar fajësinë për një çështje të rëndë. Nëse kjo do të nënkuptojë dënim me burg apo jo, do të vendoset pasi të kemi të gjitha informacionet, prandaj kam urdhëruar përgatitjen e një raporti para dënimit”.
Coote u lirua me kusht deri në seancën e radhës më 11 dhjetor.
Ai kishte debutuar si gjyqtar në Premierligë në prill 2018 dhe kishte gjykuar mbi 100 ndeshje të elitës angleze. Ai ishte gjithashtu pjesë e stafit zyrtar në Euro 2024 në Gjermani.
Coote u shkarkua pas publikimit të një videoje nëntorin e kaluar, ku ai shihej duke e quajtur Kloppin “gjermani k***” dhe Liverpoolin “m***”.
Në video, ai shprehej: “Përveç se më sulmoi kur po gjykoja Liverpool – Burnley gjatë pandemisë, më akuzoi për gënjeshtër dhe më sulmoi përsëri. Nuk kam asnjë interes të flas me dikë kaq arrogant. Përpiqem të mos kem kontakt me të. James Milner është në rregull, shkoj mirë me të. Më shihni atje me një ‘maskë’. Por, o Zot, gjermani k***, më kupto!”
Hetimi i PGMOL u përqendrua gjithashtu në një video të dytë, ku Coote shfaqej duke thithur një substancë të bardhë, e cila dyshohet se ishte drogë.
Videoja, që doli në nëntor 2024, mendohet të jetë regjistruar gjatë Euro 2024, ku ai ishte një nga ndihmësit e VAR-it në turne.
UEFA e pezulloi Cooten deri më 30 qershor 2026.
Pas shkarkimit, ai u pa në një video të kamerave të derës duke shpërndarë pako për kompaninë Evri gjatë verës.
Në janar, Coote deklaroi publikisht se ishte homoseksual dhe tha se përpjekja e gjatë për të fshehur orientimin e tij seksual kishte ndikuar në shpërthimin verbal ndaj Kloppit dhe përdorimin e supozuar të drogës.,