Dështimi i Kamerunit, tifozët shpërthejnë kundër Samuel Eto’o-së

- Bota Sot

Dështimi i Kamerunit, tifozët shpërthejnë kundër Samuel Eto’o-së

Situatë e tensionuar në Yaoundé, ku tifozët kamerunas kanë shpërthyer kundër presidentit të Federatës Kamerunase të Futbollit (FECAFOOT), Samuel Eto’o, pas barazimit pa gola (0-0) ndaj Angolës që i kushtoi Kombëtares dështimin për t’u kualifikuar drejtpërdrejt në Kupën e Botës 2026.

Barazimi i la “Luanët e pathyeshëm” në vendin e dytë të grupit pas Kepit të Gjelbër, duke i detyruar të kalojnë nëpërmjet play-off-it, ndërsa zemërimi i tifozëve shpërtheu menjëherë pas ndeshjes.

Sipas raportimeve nga mediet lokale, gjatë takimit në stadium u dëgjuan thirrje fyese ndaj ish-sulmuesit të Barcelonës:

“Ai është arsyeja pse nuk jemi kualifikuar! Ai e ka shkatërruar futbollin tonë!”

Në disa video që po qarkullojnë në rrjetet sociale, shihen forcat e sigurisë duke ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa dëshmitarë pohojnë se Eto’o reagoi me zemërim ndaj sharjeve përpara se të ndalej nga stafi i tij.

Ndërkohë, zyrtari qeveritar, Jean de Dieu Momo, ka dalë në mbrojtje të ish-‘yllit’ të Barcelonës, duke deklaruar se sjellja e tifozëve ishte “provokuese” dhe e nxitur nga “xhelozia”.

Samuel Eto’o, i cili dikur ishte hero kombëtar falë kontributit të tij me Kamerunin dhe suksesit në Evropë, gjendet tani në qendër të kritikave për mënyrën si po drejton federatën. Konflikti i hapur me trajnerin Marc Brys dhe tensionet e vazhdueshme brenda FECAFOOT kanë thelluar ndasitë në futbollin kamerunas.

Dështimi për t’u kualifikuar drejtpërdrejt në Botëror shihet si goditja më e madhe në epokën e tij si drejtues, ndërsa për momentin presioni mbi Eto’o-në është më i madh se kurrë më parë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot