Sulmuesi flet për herë të parë si ju shkatërrua karriera

- Bota Sot

Sulmuesi flet për herë të parë si ju shkatërrua karriera

Futbollisti i njohur slloven, Josip Iliqiq, ka folur për herë të parë hapur për depresionin e rëndë që i shkatërroi karrierën pikërisht në kulmin e saj, kur ishte pjesë e Atalantës.

Ai rrëfen se shkaku nuk ishte jeta personale, por pandemia e coronavirusit, e cila e izoloi dhe e tronditi psikologjikisht.

“Ishte një periudhë shumë e vështirë. Shumë njerëz më pyesin se ku do të isha sot po të mos kishte ndodhur pandemia dhe depresioni. Nuk e di, por jam i bindur se do të kishim luajtur të paktën finalen e Ligës së Kampionëve”, tha Iliqiq në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

Sulmuesi slloven ishte në formën më të mirë të karrierës së tij në sezonin 2019-2020, kur shënoi katër gola për Atalantën në Ligën e Kampionëve, duke e ndihmuar klubin italian të arrinte në gjysmëfinale. Por më pas, gjithçka ndryshoi.

“Nuk e dija nëse do të kthehesha në shtëpi.

Kur je i mbyllur, fillon të mendosh. Isha i izoluar në Bergamo për 42 ditë, larg familjes.

Vuajta shumë. Paratë dhe kontratat nuk kishin më asnjë vlerë për mua”, rrëfeu ai.

Në atë kohë, mediat italiane dhe ato ndërkombëtare raportuan se Ilicic kishte përjetuar një kolaps emocional pasi dyshohej se kishte kapur gruan duke e tradhtuar. Por tani, vetë ai i mohon me vendosmëri ato thashetheme.

“U tha se ajo më tradhtoi. Asgjë nuk mund është e vërtetë. A mund ta imagjinoni ta kapja gruan time me dikë tjetër? Ajo mori fyerje të tmerrshme dhe nuk e meritonte”, deklaroi slloveni për herë të parë duke sqaruar zërat që qarkulluan prej vitesh.

Pas asaj periudhe të errët, Ilicic u largua nga Atalanta dhe nuk u rikthye më në futbollin e nivelit të lartë.

Ai mendoi ta përfundonte karrierën, por vendosi të vazhdojë të luajë në Slloveni, ku aktualisht është pjesë e NK Koper.

“Isha i trishtuar, por njëkohësisht i lumtur që po kthehesha në shtëpi pas 12 vitesh larg”, përfundoi 37-vjeçari nga Prijedori.



Lexoni të gjitha në Bota Sot