Ylli i Arsenalit dëshiron të ndryshojë kombësinë për të luajtur në Botëror

- Bota Sot

Ylli i Arsenalit dëshiron të ndryshojë kombësinë për të luajtur në Botëror

Mbrojtësi i Arsenalit, Cristhian Mosquera, po konsideron të ndryshojë kombësinë nga Spanja pasi i është premtuar një vend diku tjetër në Kupën e Botës 2026 në Amerikën e Veriut.

Mosquera, i lindur në qytetin e Alicantes, ka përfaqësuar kombëtaren spanjolle në nivele të ndryshme të moshave, por ende nuk ka arritur të debutojë me ekipin e parë.

Me Kupën e Botës që po afron, 21-vjeçari po shqyrton mundësinë për të përfaqësuar një kombëtare tjetër.

Mosquera ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare spanjolle U15, U16, U18, U19 dhe U21, por ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të drejtuar nga Luis De La Fuente.

Mosquera dëshiron me çdo kusht të luajë në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut vitin e ardhshëm, por aktualisht është pas Dean Huijsen, Robin Le Normand dhe Pau Cubarsi në hierarkinë e “Furisë së Kuqe”.

Megjithatë, dëshira e tij mund të realizohet, pasi sipas “Diario AS”, Kolumbia po përpiqet të bindë mbrojtësin që të përfaqësojë kombëtaren e tyre.

Prindërit e yllit të Arsenalit janë me origjinë nga shteti i Amerikës së Jugut dhe ai vetë zotëron pasaportë kolumbiane.

Sipas raportimeve, kombëtarja e CONMEBOL-it i ka garantuar Mosqueras një vend në skuadër për Kupën e Botës 2026, çka mund ta bindë 21-vjeçarin të ndryshojë kombësinë.

Në vitin 2023, Kolumbia kishte bërë përpjekje të ngjashme, por në atë kohë, i riu ishte i bindur se do të përfaqësonte Spanjën në nivelin A pasi ishte emëruar kapiten i ekipit U-21.



Lexoni të gjitha në Bota Sot