Juventusi futet në telashe

- Bota Sot

Juventusi futet në telashe

Pas dëmtimit të rëndë të Gleison Bremer, Juventus gjendet përballë një emergjence të re në mbrojtje.

Mbrojtësi brazilian do të mungojë për pjesën më të madhe të sezonit dhe kjo ka detyruar drejtuesit bardhezi të lëvizin shpejt në merkato.

Synimi kryesor i klubit është Milan Skriniar, ish-lojtari i Interit, aktualisht pjesë e Fenerbahçes në Turqi.

Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, Skriniar shihet si profili ideal për të udhëhequr prapavijën bardhezi.

Sllovaku ka deklaruar më herët se ndihet mirë te Fenerbahçe, por largimi i trajnerit Zhoze Murinjo drejt Benfikës mund të ketë ndryshuar shumë në ambientin turk.

Pikërisht kjo situatë i ka dhënë Juventusit shpresë për ta sjellë mbrojtësin në Torino që në merkaton e janarit.

Në rast se pista Skriniar do të dështojë, alternativa e dytë e Juves është Kim Min-Xhae i Bayern Munich. Megjithatë, për qendërmbrojtësin korean ekziston pengesa e statusit “jo-komunitar”, një vend që drejtuesit bardhezi duan ta ruajnë për një tjetër operacion të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Nahuel Molina, mbrojtësin e djathtë të Atletiko Madrid, shumë i pëlqyer nga trajneri Igor Tudor.

Kroati e konsideron argjentinasin si element kyç për mënyrën e tij të lojës, që kërkon krahë mbrojtjeje me energji dhe aftësi ofensive. Juventus kishte tentuar ta merrte Molinën që në verë, por negociatat nuk u finalizuan. Tani, me presionin për të përforcuar skuadrën dhe me dëmtimin e Bremerit, tratativat mund të rihapen.

Drejtuesit bardhezi po studiojnë formulën më të përshtatshme ekonomike, ndërsa Tudor ka dhënë “ok”-in teknik për të dy emrat. Me një mbrojtje në emergjencë dhe me synimin për të mos humbur terren në garën për titull, Juventusi është gati të ndërhyjë fuqishëm në merkato. Janari mund të sjellë një emër të madh në Torino — dhe të rikthejë në Serie A një figurë që e njeh mirë futbollin italian: Milan Skriniar, ish-kapiteni i Interit, që tani mund të vishet bardhezi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot