Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, vazhdon të shkruajë histori me fanellën e Argjentinës.
Në fitoren bindëse 6-0 ndaj Porto Rikos në një ndeshje miqësore, ai realizoi dy gola pasi u inkuadrua nga stoli, duke konfirmuar formën e tij të lartë edhe në arenën ndërkombëtare.
Falë këtyre golave, “El Toro” ka kapërcyer legjendarin Diego Maradona dhe është barazuar me Hernan Crespon në vendin e katërt të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kombëtares së Argjentinës, me plot 35 gola.
Tashmë para tij qëndrojnë vetëm Sergio Aguero (41 gola), Gabriel Batistuta (56 gola) dhe kapiteni historik Lionel Messi, i cili kryeson me 114 gola.
Në moshën 27-vjeçare, Lautaro po e përjeton një nga periudhat më të mira të karrierës së tij, pasi edhe me Interin këtë sezon ka qenë vendimtar me pesë gola dhe një asistim në shtatë ndeshje në të gjitha garat.
Forma e jashtëzakonshme e tij po e kthen Martinezin në një nga udhëheqësit kryesorë të brezit të ri të Argjentinës, që synon të mbrojë lavdinë pas triumfeve në Copa America dhe Kupën e Botës.