Një skenë e pazakontë u pa në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës midis Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e zhvilluar në stadiumin “Jassim Bin Hamad” në Doha.
Trajneri i Katarit, Julen Lopetegui, përjetoi një moment të dhimbshëm kur u godit papritur në fytyrë me top gjatë ndeshjes.
Ish-trajneri i Sevillas dhe West Ham-it qëndronte në zonën e tij teknike kur, pas një dueli të fortë pranë vijës anësore, topi përfundoi drejt në kokën e tij. Goditja ishte aq e fortë sa spanjolli 58-vjeçar u rrëzua në tokë dhe mbeti i shtrirë për disa çaste, pa lëvizur.
Ndihma mbërriti menjëherë, dhe ndër të parët që i shkoi pranë ishte Asim Madibo, mesfushori i Katarit, i cili pa dashje ishte autori i goditjes. Pas disa minutash, Lopetegui u ngrit me ndihmën e stafit mjekësor, ndonëse dukej ende i tronditur.
Pavarësisht incidentit, mbrëmja përfundoi me buzëqeshje për trajnerin spanjoll, teksa Katari fitoi me rezultatin 2–1 dhe siguroi kualifikimin për në Kampionatin Botëror.