Federata e Futbollit, në bashkëpunim me UNHCR-në, iu bashkua nismës së mbështetjes së refugjatëve që jetojnë në vendin tonë gjatë ndeshjes miqësore Shqipëri – Jordani, e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në stadiumin “Air Albania”.
Fëmijë refugjatë që jetojnë në Shqipëri iu bashkuan bashkëmoshatarëve shqiptarë dhe ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Jordanisë, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm shprese dhe uniteti: “Solidaritet me Refugjatët.”
Gjatë pushimit të ndeshjes, fëmijët dolën në fushë duke mbajtur një banderolë me këtë mesazh, si një thirrje për unitet dhe mbështetje ndaj personave që janë detyruar të largohen nga vendet e tyre për shkak të luftës apo përndjekjes.
Ky aktivitet është pjesë e programit të përgjegjësisë sociale të FSHF-së dhe do të pasohet nga nisma të tjera me fokus përfshirjen sociale përmes futbollit.
Pak javë më parë, FSHF dhe UNHCR nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të mbështetur refugjatët në Shqipëri përmes fuqisë që ka loja e futbollit.