Merkatoja e janarit pritet të jetë vendimtare si për Juventusin, ashtu edhe për Milanin, të cilat janë në kërkim të përforcimeve në repartin e mbrojtjes, por për arsye të ndryshme.
Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, të dy klubet italiane kanë vendosur në shënjestër mbrojtësin korean Kim Min-Jae, aktualisht pjesë e Bayern Munih.
Juventusi po kërkon një zëvendësues të mundshëm për Bremer, ndërsa Milani synon të kompletojë mbrojtjen për pjesën e dytë të sezonit. Kim, i cili u transferua te Bayern në vitin 2023 pas një sezoni të shkëlqyer me Napolin, nuk ka arritur të përshtatet plotësisht në Gjermani dhe sipas raportimeve, do të mirëpriste një rikthim në Serie A për të rifituar formën e dikurshme.
Bayerni është i hapur për ta lënë të largohet që në janar, por pengesa kryesore mbetet paga e lartë e lojtarit, që arrin në 9 milionë euro në vit, shifër shumë e rëndë për klubet italiane.