Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Júnior, është përfshirë në një çështje gjyqësore në Brazil, pasi akuzohet se ka “prishur qetësinë publike” gjatë festës madhështore të 25-vjetorit të tij, e mbajtur në Rio de Zhaneiro në korrik të këtij viti. Lajmi është konfirmuar të mërkurën nga burime zyrtare braziliane.
Sipas medieve lokale, përfshirë O Globo, festa u zhvillua mes datave 19 dhe 21 korrik, në një vilë luksoze të dedikuar për organizimin e eventeve të mëdha, si dasma dhe ceremoni.
Një nga fqinjët e vendit ku u zhvillua mbrëmja ka paraqitur kallëzim penal, duke pretenduar se muzika dhe zhurma kanë qenë aq të forta, saqë kanë shqetësuar të gjithë lagjen.
Sipas dëshmisë së fqinjit, Policia Ushtarake u thirr gjatë natës për të ndërhyrë dhe për të kërkuar uljen e volumit. Pasi oficerët u larguan, festa thuhet se rifilloi me të njëjtin intensitet, me muzikë të lartë dhe brohoritje deri në orët e para të mëngjesit.
Rasti po trajtohet nga Gjykata e 9-të Speciale Penale e Rios, e cila merret me kundërvajtje të vogla. Një seancë paraprake për këtë çështje është caktuar për 6 nëntor 2025.
Sipas ligjit brazilian, “prishja e qetësisë publike ose e rendit të punës” dënohet me 15 ditë deri në 3 muaj burg, ose me gjobë.
Festa e Viniciusit ishte ndër më të përfolurat në vend, pasi thuhet se morën pjesë rreth 500 persona, përfshirë bashkëlojtarin e tij te Real Madridi, Eduardo Camavinga, si dhe ‘yje’ të njohur të muzikës, mes tyre Anitta dhe reperi amerikan Travis Scott, i cili performoi gjatë mbrëmjes.
Sipas raportimeve, ngjarja përfshinte gjithashtu fishekzjarrë dhe atraksione argëtuese, duke e kthyer në një festë të vërtetë spektakolare, që megjithatë, për disa fqinjë, u bë një makth zhurmash.