Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, është dënuar me suspendim prej një ndeshjeje nga stoli pas përjashtimit që mori në fitoren dramatike ndaj Liverpoolit në Premierligë.
Italiani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë nga arbitri Anthony Taylor, pasi kishte lënë zonën teknike për të festuar me lojtarët e tij pas golit të fitores së Estevao Willian në minutën e 95-të kundër kampionëve në fuqi këtë muaj.
“U pretendua se trajneri kishte vepruar në mënyrë të papërshtatshme dhe/ose kishte përdorur fjalë apo sjellje fyese gjatë ndeshjes, gjë që çoi në përjashtimin e tij rreth minutës së 96-të,” tha Shoqata e Futbollit (FA).
FA njoftoi se Maresca e pranoi akuzën dhe pranoi dënimin standard.
Maresca, i cili më herët gjatë ndeshjes në “Stamford Bridge” ishte ndëshkuar me karton të verdhë për kundërshtim ndaj vendimit të gjyqtarit, është gjithashtu gjobitur me 8,000 paund.
Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në stolin e Chelseat kur “Blutë” të udhëtojnë drejt “City Ground” për t’u përballur me Nottingham Forestin e Ange Postecoglou të shtunën, ndërsa pritet që ndihmëstrajneri Willy Caballero ta zëvendësojë atë.
Ky është pezullimi i dytë nga stoli për Marescan që prej se u bë trajner në Premier League në qershor të vitit 2024.
45-vjeçari kishte vuajtur pezullimin e parë në prill të vitit 2025, pasi kishte marrë kartonin e tretë të verdhë të sezonit gjatë festimit të golit të Pedro Neto në minutën e 93-të ndaj Fulhamit.