Kryetari i tifogrupit Dardanët, Lulzim Berisha, me fjalët më të mira për tifozët shqiptarë në Suedi
Tifozët shqiptarë ishin lojtari i 12-të i fitores së Kosovës me rezultat 1:0 ndaj Suedisë, në ndeshjen e grupit B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
“Fituam në fushë në Suedi, por edhe në tribuna. E disa fjalë falënderuese i meritojnë edhe shqiptarët nga Kosova e kudo tjetër që erdhën për ta përkrahur dhe ndihmuar
Falënderoj si kryetar i Dardanëve pa masë Jeton Zenelin, si përfaqësues i tifogrupit tonë në Skandinavi.
Së bashku me anëtarët tanë atje, Fidan Thaqi dhe Kosovar Leskovci, nuk kursyen gjë nga vetja për ta na dalur në ndihmë, që produkti final të dilte ai që e hasët ju vetë nga ekranet dhe stadiumi, pra një organizim impozant, madhështor dhe i paharrueshëm. Jetoni tregoi se është djalë model. Po ashtu edhe Fidani na doli në ndihmë në aspekt logjistik dhe çkado tjetër në Göteborg.
Falënderimi tjetër shkon për Kristian Gashin, i cili gjithashtu u angazhua fort për të organizuar sa më shumë shqiptarë nga pjesët tjera të Evropë, që morën rrugë drejt Suedisë. Vullnetar i paepur për vendin tonë, si të lartëcekurit, si gjithmonë.
Një pjesë tjetër që na bëri të ndiheshim si në shtëpi, ishte ndihma e mërgimtarëve tanë atje për të na mikpritur në ambientet e gastronomisë që ata drejtojnë. Këtu meriton një falënderim të posaçëm Fisnik Maloku, pronar i lokalit “La Piccola Gondola”, te biznesi i së cilit ishte edhe pika jonë e grumbullimit si Dardanë. Shqiptar bujar dhe i dashur, dardan i madh, që hapi zemrën dhe dyert e lokalit për tifozët tanë nga Kosova dhe kudo. Mirënjohës!
Vazhdojmë të qëndrojmë së bashku e të pathyeshëm në pritje të realizimit të ëndrrës së kahershme, jetësore, ëndrrës amerikane për kualifikim në Kupën e Botës. Nuk na ndalë asnjë njeri apo luftë speciale deri në arritjen e këtij qëllimi.
Përjetë me ty, atdheu im, si në luftë, si në ditët e suksesit sportiv si këto që po na trokasin te dera.
Besa, besë!”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në facebook.