Në Suedi nuk mund të përpijnë disfatën me rezultat 1:0 nga Kosova në Goteborg, për faktin se pothuajse i kanë të fikur shpresat për vend të dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
Në orët e fundit, gazeta suedeze Aftonbladet ka raportuar për zemërimin e lojtarëve të ekipit kombëtar suedez ndaj Jon Dahl Tomasson, i cili u largua nga pozicioni i selektorit pas një sërë rezultatesh të dobëta që habitën gjithë opinionin.
“I njëjti burim thotë se gjithçka filloi kur Tomasson vendosi të prezantojë formacionin 3-5-2 duke i lejuar Viktor Gyökeres dhe Alexander Isak, dy figura kyçe dhe yje të Premier League, të luanin së bashku.
Formacioni nuk dha fryte dhe Bergvall dhe Elanga shprehën pakënaqësinë e tyre. Por pika e fundit erdhi të hënën, pas humbjes ndaj Kosovës. Atje, pas fishkëllimës së fundit, Elanga futet në teshatore dukshëm i irrituar, duke bërtitur: "Ky formacion i pakuptimtë duhet të ndalet"”, shkruan mes të tjera media boshnjake “Sportsport”.
Ky ndryshim solli edhe probleme të tjera. Shtypi suedez raporton se Jon Dahl Tomasson filloi të shpallte formacionin titullar vetëm një orë para ndeshjeve, duke rezultuar në disa lojtarë të habitur nga pozicioni i tyre në fushë.