Lista Serbe ka dorëzuar sërish anekse në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i kësaj Gjykate.
Kështu ka njoftuar deputeti i kësaj partie, Igor Simiq.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e deputetit Simiq.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Emri i tij u hodh në votim pasi nëntë deputetët e Listës Serbe nuk arritën të siguronin votat e nevojshme për ta marrë këtë pozitë.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, deklaroi se pas dështimit të përfaqësuesve të Listës Serbe për të fituar mbështetjen e nevojshme, u vendos të vazhdohet me kandidatin tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) votuan në favor të Nenad Rashiqit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës abstenoi në votim.
Rezultati i votimit ishte: 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.