Shqipëria ka shkaktuar tronditje të thellë në Serbi!
Shqipëria me fitoren me rezultat 1:0 ndaj Serbisë në Leskovc, i hodhi në nokaut serbët dhe ende nuk po këndellen!
Shqipëria renditet në vend të 2-të me 11 pikë e Serbia në të tretin me 10 sosh në gripin K të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
Millovan Gjoriq, ish trajner i Prishtinës nga mesi i vjeshtës së vitit 1986 dhe deri nga fillimi i vjeshtës së vitit 1987, kur ishte shkarkuar pas barazimit 0:0 me Vardarin në Prishtinë, humbjes 7:1 në Beograd nga C. Zvezda, humbjes 0:2 nga Radi në Prishtinë, 5:1 në Osijek, ka komentuar me zemër të thyer humbjen e Serbisë nga Shqipëria.
“Isha në Leskovc.
E pashë ndeshjen..
Shikoni, sa ditë kanë kaluar dhe ende jam i sëmurë.
Një shije e hidhur në gojën time.
Nuk di çfarë të them. Ndeshje e çuditshme, në një atmosferë të çuditshme...
Diçka nuk shkon me mua...
Lojtarët tanë hynë në ndeshje kundër Shqipërisë pa shumë emocione. Ishte e dukshme që në fillim.
Pse?
Nuk e di. Ata bënë gabime të pabesueshme”, ka deklaruar Gjoriq për mediumin serb “Kurir”.
Kush është Gjoriqi?
Para një kohe foli për mediumin sportiv në Serbi “Sportski Zhurnal”, duke u mburrur se si shpërblim i marrëveshjes mori edhe apartament luksoz në Beograd nga KF Prishtina, nga ajo udhëheqësi e asaj kohe.
“Mora nga Slloboda një apartament, edhe nga C. Zvezda, në Banovo Brdo, pas vetëm gjashtë muaj në ekip. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët, pa përjashtim...
E njëjta gjë ndodhi kur nënshkrova edhe me Prishtinën, ku mora një apartament luksoz në Beograd”, kështu kishte deklaruar Gjoriqi.
Sulmuesi i Prishtinë, Kujtim Lleshi, shkaku i tij, ishte larguar nga Prishtina ndonëse në vjeshtën e vitit 1986 kishte kontratë katërvjeçare.
“Në vitin 1986 si futbollist i KF Prishtina, pas 6 muajve jam larguar nga klubi demostrativisht me ardhjen e Gjoriqit si trajner edhe pse kisha kontratë 4 - vjeçare.
Ky ka qenë çetnik i përbetuar i cili në stërvitje na ka fyer krejt kohën nënat dhe motrat, derisa një ditë reagova dhe i thash të mos me fyej më kurrë në baza familjare, se nuk është marre mos me ditë me luajt futboll, por familja tek ne është mbi të gjitha”, kështu ka thënë Lleshi më 1 shtator të vitit 2020 për gazetën kombëtare “Bota sot”.