Kurti: Filmi ‘Era’ pasqyron vuajtjet dhe guximin e viteve ’90 në Kosovë

- Bota Sot

Kurti: Filmi ‘Era’ pasqyron vuajtjet dhe guximin e viteve ’90 në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar filmin artistik “Era” të regjisores Parta Kelmendi, duke theksuar se ky film përshkruan në mënyrë të thellë dhe prekëse periudhën e vështirë të viteve ’90 në Kosovë.

Ai tha se filmi përshkruan me një ndjeshmëri të veçantë diskriminimin dhe shtypjen e shqiptarëve pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, si dhe emigrimin e detyruar që pasoi.

Përmes personazhit kryesor, Era Gashi, me aktrim brilant të Zana Berishës, filmi tregon dy lloje guximi: largimin nga familja dhe qëndrimin në Kosovë. Kurti përmendi se fjalia “Kjo është mbijetesë, Shpresë.” përmbledh thelbin e filmit dhe theksoi se paralufta kishte ndikim të madh në formësimin e kolektivit, po aq sa edhe lufta.

Ai tha se filmi u prit mirë nga aktorët, profesionistët e filmit dhe publiku, dhe e konsideroi këtë vepër një frymë të re për kinemanë në Kosovë. Kurti ftoi publikun që ta ndjekë filmin në kinematë e Prishtinës, Prizrenit dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Ai gjithashtu uron regjisoren Parta Kelmendi, aktoren Zana Berisha dhe gjithë ekipin e filmit për suksesin artistik dhe për çmimin për Aktoren më të Mirë, fituar nga Zana Berisha në Brooklyn Film Festival, duke theksuar se filmi “Era” vazhdon rrugëtimin e tij ndërkombëtar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot