Një gjykatë në Barcelonë ka zbuluar prova të mundshme për shpërdorim fondesh dhe falsifikim të llogarive në transferimin e Antoine Griezmann nga Atletico Madrid te Barcelona në vitin 2019, raportoi gazeta ‘El Mundo’.
Sipas hetimeve, gjykatësi pretendon se Barcelona i ka paguar 15 milionë euro Atletico Madridit për të shmangur një padi ligjore, pasi katalanasit kishin nisur negociatat me Griezmann ndërsa ai ishte ende nën kontratë me klubin madrilen.
Kjo shumë dyshohet se është maskuar si një “marrëveshje bashkëpunimi për skautizimin e të rinjve” midis dy klubeve, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në dokumentacionin financiar.
Marrëveshja është realizuar menjëherë pas kalimit të Griezmann te Barcelona për 120 milionë euro, në korrik të vitit 2019, gjatë kohës kur president i klubit katalanas ishte Josep Maria Bartomeu.
Gjykata dyshon se ky transaksion mund të jetë përdorur për të fshehur një marrëveshje jashtë regjistrave zyrtarë të transferimeve, me qëllim shmangien e pasojave ligjore.
Nëse akuzat vërtetohen, ish-drejtues të Barcelonës që morën pjesë në këtë operacion mund të përballen me akuza për keqpërdorim financiar dhe mashtrim.