Graham Potter është një kandidat për postin e trajnerit të Suedisë, sipas raportimeve të “talkSPORT”.
Kombëtarja skandinave po kërkon një trajner të ri pas shkarkimit të Jon Dahl Tomasson.
Tomasson u shkarkua vetëm pas 18 muajsh në detyrë, pas humbjes poshtëruese 1–0 ndaj Kosovës të hënën, që pothuajse i shuan shpresat e Suedisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
Ky rezultat e la Suedinë në vendin e fundit të Grupit B me vetëm një pikë në katër ndeshje dhe gjashtë pikë larg zonës së “play-off”.
Pas barazimit në ndeshjen e parë kundër Sllovenisë muajin e kaluar, Suedia ka humbur tri ndeshjet e tjera – dy herë ndaj Kosovës dhe një herë kundër Zvicrës, që konsiderohet favorite e grupit.
Humbja e fundit ishte pika e fundit për Federatën Suedeze të Futbollit, e cila e shkarkoi Tomasson më pak se 24 orë pas ndeshjes.
Interesimi për Graham Potter vjen pasi ish-trajneri i Brighton, Chelsea dhe West Ham ka shprehur hapur se do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e kombëtares suedeze.