Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se ka shpallur një proces të brendshëm për avancimin e katër (4) pozicioneve të prokurorit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë disa kritere të detajuara për të qenë të kualifikuar për këto pozita.
Sipas konkursit, kriteret për aplikuesit përfshijnë: të jenë prokurorë me mandat të përhershëm, të kenë vlerësim pozitiv të performancës, të plotësojnë kushtet për të punuar në Departamentin për Krime të Rënda, të mos kenë masa disiplinore në pesë vitet e fundit (përveç vërejtjes jopublike), të mos jenë subjekt i hetimeve penale dhe të kenë reputacion të lartë profesional. Gjithashtu, vlerësimi “I mjaftueshëm” sipas Rregullores Nr. 12/2015 për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve është pengesë për avancim deri në rishikim sipas Rregullores Nr. 05/2020.
Në procesin e avancimit do të merren parasysh pjesëmarrja në trajnime dhe projekte në fushën e procedurës penale, njohuritë juridike, përvoja në sistemin prokurorial, përgatitja akademike, publikimet shkencore, ligjërimi në universitete, si dhe angazhimi si ekspert në projekte vendore ose ndërkombëtare. Kandidatët duhet të plotësojnë formularin për Avancim dhe Transferim të Prokurorëve të Shtetit dhe t’i bashkëngjisin dokumentet përkatëse, përfshirë vlerësimin e kryeprokurorit për tre vitet e fundit dhe certifikatat e pjesëmarrjes në trajnime.
Këshilli Prokurorial inkurajon veçanërisht prokurorët e gjinisë femërore dhe prokurorët nga komunitetet joshumicë që të aplikojnë.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është nga 17 tetori deri më 31 tetor 2025. Dokumentet mund të dorëzohen personalisht te drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, z. Sami Istrefi, në katin e katërt të ndërtesës së Këshillit Prokurorial të Kosovës, rruga “Luan Haradinaj”, zyra nr. 407, të mbyllura në zarf, ose me postë.