Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka folur për mediat në prag të sfidës së madhe kundër Manchester United, duke analizuar momentin jo të mirë që po kalojnë kampionët në fuqi të Premier League.
Tekniku holandez ka pranuar se skuadra e tij po përballet me disa vështirësi, sidomos në fazën mbrojtëse.
“Në krahasim me sezonin e kaluar, nuk po krijojmë aq shumë raste.
Jemi ende skuadra që prodhon më shumë aksione dhe goditje në portë, por kemi pësuar shumë gola,” deklaroi Slot.
Ai theksoi se pikat e forta të skuadrës, si goditjet standarde, nuk po mjaftojnë për të mbuluar problemet aktuale: “Kemi pësuar nëntë gola, katër prej tyre nga goditje standarde, diçka që zakonisht është një nga armët tona më të forta. Por kjo nuk pasqyron mënyrën si po pësojmë. Po lejojmë shumë krosime dhe kjo është diçka që duhet ta përmirësojmë urgjentisht.”
Slot u shpreh se ekipi duhet të reagojë me vendosmëri: “Duhet të gjejmë përgjigje.
Nëse është bërë më e vështirë për ne të shënojmë, atëherë gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të mos pësojmë kaq shumë gola.”
Në fund, trajneri i “The Reds” dërgoi një mesazh të qartë për skuadrën e tij pas tre humbjeve radhazi: “Kur vesh fanellën e Liverpoolit, nuk ka rëndësi kush është kundërshtari. Pas tre humbjeve, e vetmja gjë që duhet të bësh është të reagosh”.