Chelsea do të duhet të bëjë pa një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm. Cole Palmer, talenti 23-vjeçar anglez, do të qëndrojë jashtë fushave për rreth gjashtë javë të tjera, për shkak të një dëmtimi që e ka shoqëruar që në fillim të sezonit.
Sipas konfirmimit të vetë trajnerit Enzo Maresca, problemi i Palmer lidhet me muskujt e ijëve dhe iskiotibialët, të cilët i shkaktuan shqetësime që nga ndeshjet e para të kampionatit. Dëmtimi u përkeqësua më 20 shtator, në sfidën ndaj Manchester United, ku lojtari u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 21-të.
Fillimisht, Maresca kishte parashikuar një mungesë të shkurtër, deri në fund të pushimit të kombëtareve, por situata ka rezultuar më e ndërlikuar.
“U gabova në vlerësim. Për fat të keq, Cole do të mungojë edhe rreth gjashtë javë. Po e mbrojmë maksimalisht që të rikthehet 100%,” tha trajneri i Chelseat.
Stafi mjekësor po ndjek një program të kujdesshëm rehabilitimi, duke shmangur çdo rrezik për rikthim të parakohshëm.
“Duket mirë, është i qetë dhe po ndjek me përpikmëri të gjitha trajtimet,” shtoi Maresca.
Pavarësisht dëmtimit, Palmer mbetet optimist dhe i fokusuar në rikuperimin e plotë, me synimin për t’u rikthyer në formën më të mirë për ndeshjet vendimtare të sezonit dhe për të mos rrezikuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës.