I vendosën bombë në makinë, reagon gazetari i RAI-t: Të mbrojmë lirinë e informimit

- Bota Sot

I vendosën bombë në makinë, reagon gazetari i RAI-t: Të mbrojmë lirinë e informimit

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku një bombë e vendosur nën makinën e parkuar të gazetarit italian Sigfrido Ranucci shpërtheu para banesës së tij, ka ardhur edhe reagimi i vetë gazetarit.

Ranucci, një gazetar i njohur investigativ në Itali dhe drejtues i emisionit “Report” në RAI, ka folur për rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shprehjes.

“Besoj se duhet të ndalemi të gjithë për një moment dhe të mendojmë se sa e rëndësishme është, në përgjithësi, mbrojtja e lirisë së informimit. Unë kam pas vetes një kompani të madhe si RAI, por mendoj për gazetarët lokalë që përballen me atë që përballova unë sot, në shumë raste, dhe nuk kanë pas vetes një kompani si e jona.”-ka thënë Ranucci.

Shpërthimi ndodhi pranë banesës së tij, duke shkaktuar dëme materiale në një tjetër makinë që i përkiste familjes si dhe në një banesë përreth. Nuk raportohet për persona të lënduar, por autoritetet italiane theksojnë se fuqia e eksplozivit ishte e tillë që mund të kishte pasur pasoja fatale për këdo që ndodhej pranë në atë moment.

Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm forcat e rendit, zjarrfikësit dhe ekipet mjeko-ligjore, ndërsa prokuroria ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij akti.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe politikën italiane. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e cilësoi sulmin si një atentat të papranueshëm ndaj lirisë së medias.

“Një akt shumë serioz, frikacak dhe i papranueshëm. Një bombë shpërtheu makinën e Sigfrido Ranucci-t përpara shtëpisë së tij. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua, por rëndësia ekstreme e këtij akti mbetet, duke prekur jo vetëm një gazetar, por edhe vetë lirinë për t’u informuar dhe për t’u shprehur. Solidariteti dhe afërsia ime e plotë me të dhe familjen e tij”, deklaroi ministri Crosetto.



Lexoni të gjitha në Bota Sot