Mbrojtësve të Bundesligës, Hummels “zbërthen” anglezin

- Bota Sot

Mbrojtësve të Bundesligës, Hummels “zbërthen” anglezin

Mats Hummels nuk e kishte pritur këtë.

Super sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Herri Kejn, aktualisht po “shkatërron” Bundesligën. Ai ka shënuar njëmbëdhjetë gola në gjashtë ndeshje të kampionatit këtë sezon.

Kapiteni i Anglisë po i mahnit jo vetëm tifozët, por edhe ish-mbrojtësin Humels.

Ky është fillimi më i mirë i një lojtari të huaj në historinë e Bundesligës, dhe forma e tij e jashtëzakonshme ka ngritur edhe më shumë pritshmëritë e tifozëve bavarezë. Ajo që Humels nuk e kishte pritur ishte pikërisht fuqia fizike e Kejn. Ai kujton ndeshjet ballë për ballë dhe mënyrën si u befasua nga forca dhe qëndrueshmëria e sulmuesit anglez.

Në një podkast, fituesi i Kupës së Botës 2014 pranon: “Është shumë i fortë fizikisht. Para se të luaja kundër tij për herë të parë, nuk e dija këtë. Dhe unë në fakt gjithmonë isha më i forti në duele. Por ai është… uau, uau, uau.” Në sezonin 2023/24, Humels u përball me Kejn në dy ndeshje të Bundesligës me Dortmundin. Anglezi shënoi një tregolësh në humbjen 4-0 të ndeshjes së parë. Humels vazhdon të lavdërojë qasjen e pamëshirshme të sulmuesit anglez: “Ai nuk i kalon katër lojtarë dhe pastaj ta gjuajë topin me parabolë mbi portierin, por e gjuan topin me vendosmëri në këndin e poshtëm majtas ose djathtas.”

Pikërisht kjo thjeshtësi dhe saktësi e bëjnë Kejn një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë, duke e krahasuar shpesh me legjenda si Robert Levandovski apo Alan Shirer. Dhe shton: “Kur Herri Kejn e ka topin në këmbën e djathtë brenda 25 metrave nga porta e kundërshtarit, ti tashmë e dëgjon atë ‘Jabadabadu’ (himni i golave të Bajernit).” Humels gjithashtu nuk beson se ritmi i golave të Kejn do të bjerë në të ardhmen: “Ai do të jetë i mirë për shumë kohë, sepse nuk varet nga fiziku i tij,” tha ai.

“Dhe është aq i mençur.”

Megjithatë, ish-mbrojtësi ka edhe një ankesë, me shaka: “E vetmja gjë: festimi i tij i golit mund të ishte më ‘kull’, por në njëfarë mënyre është gjithashtu ‘kull’, sepse është kaq i thjeshtë.” Kontrata e Kejn me Bajernin zgjat deri në vitin 2027, por përfshin një klauzolë largimi për verën e vitit 2026. Sipas BILD, tarifa fikse e transferimit është 65 milionë euro.

Një datë kyçe është vendimtare: Kejn mund ta aktivizojë vetë klauzolën deri më 31 janar 2026. Pas 1 shkurtit, ajo skadon automatikisht.



Lexoni të gjitha në Bota Sot