Xhan Piero Gasperini ka bërë një start të mirë të sezonit me skuadrën e Romës, e cila e ka nisur edicionin mes protagonisteve në Serinë A. Për shumëkënd, Roma është një skuadër mes atyre që kërkojnë një renditje mes katër të parave për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Para sfidës me Interin, vetë trajneri i verdhekuqve ka theksuar se për të gjithë duket se ka më shumë prioritet prania në katërshen e parë, se sa titulli.
“Objektivat? Të gjithë flasin për objektivin e Ligës së Kampioneve për një arsye shumë të thjeshtë: sjell një thes me para.
Duket thuajse se nuk i intereson askujt të fitojë titullin kampion. E rëndësishme është të arrish në vendin e katërt dhe arsyeja është vetëm dhe ekskluzivisht ajo.
Në këtë garë marrin pjesë të gjitha skuadrat, me të njëjtin objektiv, me atë funksion. Për ne objektivi i rëndësishëm është të luajmë nesër në darkë një ndeshje me nivel, të arrijmë të parët në klasifikim dhe të sfidojmë Interin që padyshim bashkë me Napolin është skuadra më e mirë. Për këtë jemi të gjithë dakord. Mendoj se është një objektiv i bukur, pastaj aty ndalem. Objektivat e tjerë do i shohim në vijim”, tha Gasperini.