Shefi i diplomacisë gjermane Johann Wadephul tha se bisedimet e planifikuara në Budapest midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus janë një përpjekje e dytë për ta bindur Vladimir Putin që të njohë nevojën për negociata serioze me Ukrainën.
Ai gjatë një vizite sot në Turqi tha se i vlerëson bisedimet në Budapest si një përpjekje të dytë, pas atyre në Alaska.
"Ukraina do të këmbëngulë për këtë dhe do të ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë", tha ai.
Trump, tha të enjten se do të takohej me Putin në Budapest për të diskutuar luftën në Ukrainë, pasi të dy burrat patën një telefonatë të gjatë që presidenti amerikan e përshkroi si "shumë produktive".
"Unë dhe Presidenti Putin do të takohemi më pas në një vend të rënë dakord, në Budapest të Hungarisë, për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë Luftë të palavdishme midis Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi ai në Truth Social.
Telefonata midis dy udhëheqësve botërorë zgjati gati dy orë e gjysmë dhe u mbajt me kërkesë të Rusisë, sipas një ndihmësi të Kremlinit. Duket se toni i Trump u ndryshua shpejt ndaj Rusisë, e cila ka penguar përpjekjet e tij për ti dhënë fund luftës.
Trump më vonë u tha gazetarëve gjatë një eventi në Zyrën Ovale se do të takohej me Putin "brenda dy javësh a më shumë".
Ai gjithashtu vuri në dukje në postimin e tij në rrjetet sociale se Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të udhëheqë një delegacion këshilltarësh të nivelit të lartë për tu takuar me zyrtarët rusë javën e ardhshme, me një vendndodhje që do të përcaktohet më vonë.
Putin mbështeti idenë e Trump për një samit të planifikuar në Budapest për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, tha ndihmësi i Kremlinit Yury Ushakov.
Trump dhe Putin u takuan gjatë një samiti SHBA-Rusi mbi Ukrainën në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage, Alaska, më 15 gusht 2025. Pas samitit, Trump ndryshoi mendje për të mbështetur sulmet e Ukrainës ndaj objektivave energjetike ruse, thonë burimet, raporton CNN.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Putin dhe Trump.
"Përgatitjet për samitin e paqes SHBA-Rusi janë duke u zhvilluar," njoftoi Orban të enjten pasdite pas një telefonate me Trump.
Trump ka shfaqur zhgënjimin e tij në javët e fundit, ndërsa Putin ka vazhduar luftën në Ukrainë. Por Trump ka treguar pak gatishmëri për të nxitur masa të udhëhequra nga SHBA-të që do të ndëshkonin Kremlinin.
Trump kohët e fundit ka hedhur poshtë mundësinë e dhënies së raketave Tomahawk Ukrainës. Presidenti Zelensky sot pas takimit me Trump në Uashington nuk deshi të jep detaje shtesë për këtë çështje, pasi “SHBA nuk dëshiron eskalim”.