Ndeshja mes Bayern-it dhe Borussia Dortmund do të jetë dueli i javës në Bundesliga, e cila në javën e shtatë ofron një takim që premton shumë. Bayern dhe Dortmund janë dy ekipet, të cilat nuk humbin respektivisht prej 15 dhe 14 takimesh mes ekipeve të top5 kampionateve në Europë.
“Do të jetë një ndeshje e ndezur. Mendoj se takimi përballë Dortmund është një ndeshje me shumë rëndësi, dua vetëm ta fitoj këtë ndeshje, e cila mund të konsiderohet edhe si një trofe më vete”, tha Vincent Kompant ditën e djeshme.
Me belgun në pankinë Bayern ka bërë njërin prej nisjeve më spektakolare të sezoneve pasi në dhjetë ndeshje ekipi bavarez numëron po kaq fitore. Në Gjermani në këtë aspekt e mban rekordin pikërisht Borussia e Dortmundit, e cila një dekadë më parë nisi sezonin 2015-2016 me 11 fitore radhazi.
Në rast fitoreje Bayern do të merrte këtë rekord pasi ka një diferencë golash dukshëm më të mirë se ajo e ekipit rival të viteve më parë.
Sa i përket faktorit fushë Bayern në 23 takimet e fundit në “Allianz Arena” ka shënuar të paktë një gol. Ekipi i fundit që është larguar nga Allianz Arena pa pësuar gol ka qenë pikërisht Borussia Dortmund në marsin e 2024-ës.