Është e qartë se kur futbollistët janë me moral të lartë, gjithçka bëhet më e lehtë, dhe kështu po ndodh me Rej Manajn.
Gjashtë ditë pas golit të veçantë e tepër të rëndësishëm në fushën e Serbisë, në ndeshjen eliminatore të Kupës së Botës, ylli kuqezi përsëriti veten.
Këtë herë ai goditi në Ligën Profesioniste të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa po përshtatet edhe me futbollin e atij vendi.
Manaj realizoi golin e dytë në ndeshjen mes ekipit të tij, Al Sharjah, dhe rivalit Al Dhafra, që përfundoi 2-0 për vendasit.
Ishte një përballje disi e çuditshme sepse të dyja rrjetat nga Al Sharjah erdhën në fundin e pjesës së parë.
Më herët vendasit kaluan në epërsi falë goditjes së saktë nga Igor Koronadho, në 45’, ndërsa pa kaluar mirë një minutë ishte shqiptari që dyfishoi rezultatin.
Suksesi ishte tepër I rëndësishëm për Al Sharjan, sepse skuadra e lushnjarit është vetëm në vendin e 10-të në ligën me 14 ekipe.
Gjithsesi, vetë Manaj po e tregon veten sepse në 9 paraqitje këtë sezon, ka realizuar 5 gola, në kampionat, në Championsin e Azisë dhe në Kupën e Ligës së Emirateve të Bashkuara Arabe.