Analisti bullgar kritikon BE-në: S’ka presion mbi Vuçiqin në raport me Kosovën

- Bota Sot

Analisti bullgar kritikon BE-në: S’ka presion mbi Vuçiqin në raport me Kosovën

Njohësi bullgar i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Anton Pançev, po kritikon Bashkimin Evropian se nuk po i bën presion presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Ai thotë se BE-ja e ka humbur busullën dhe drejtimin e duhur, andaj po qëndron si vëzhgues pasiv në zhvillimet në rajon.

Përkitazi me këtë, Pançev është skeptik për progres në dialogun, derisa përmend edhe mungesën e formimit të institucioneve në Kosovë.

Analisti bullgar, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pavarësisht dallimeve që zyrtarë amerikanë mund t’i kenë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nuk beson se SHBA-ja do të ndërmerr masa të ashpra që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.

Pançev: BE-ja e ka humbur busullën në rajon, nuk po i bën presion Vuçiqit për Kosovën

“Bashkimi Evropian e ka humbur busullën, e ka humbur drejtimin e duhur dhe shpesh është thjesht vëzhgues pasiv, jo vetëm në skenën globale por edhe siç e shohim në Ballkanin Perëndimor, sepse nuk po bën presionin e nevojshëm ndaj Vuçiqit që të normalizohet situata jo vetëm në marrëdhëniet me Kosovën, por edhe me Bosnjën, me Malin e Zi, me vendet e tjera. Shumë pasiv dhe nuk ka një strategji të qartë Bashkimi Evropian, gjë që shkakton shumë pakënaqësi ndër vendet anëtare”, thekson ai.

Kosova e Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2023, por zbatimi ka ngecur. Pançev thotë se Serbia nuk dëshiron që Kosova të stabilizohet ndërkombëtarisht. Ai shton se zhvillimet në Ukrainë dhe Gaza kanë bërë që SHBA-së dhe BE-së t’iu humbë fokusi në dialogun Kosovë-Serbi.

Pançev: Serbia nuk ka dëshirë të zgjidhë problemet me Kosovën, s’pres progres në dialog

“Çdo dialog me Serbinë, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i ngrirë tani për tani. E dimë se Serbia nuk ka dëshirë të zgjidhë problemet me Kosovën sepse nuk dëshiron që Kosova të stabilizohet natyrisht. Edhe faktori ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian në këto tre-katër vite janë përqendruar shumë në Ukrainën, agresionin rus atje. Pastaj dy vite mbi luftën në Izrael, sulmet terroriste kundër Izraelit në Gaza, ngjarjet tani kur po kemi shpresa që do të ketë një paqe të qëndrueshme në Izrael dhe Gaza, midis Izraelit dhe vendeve arabe. Ndoshta Uashingtoni dhe Brukseli do të angazhohen edhe më shumë me dialogun, por prapëseprapë në muajt në vijim nuk do të ketë asnjë përparim real dhe si situatë ndërkombëtare është e komplikuar, pra nuk mund të kemi shpresë që dialogu të zhvillohet dhe të ketë përparime të dukshme”, thekson Pançev.

Pançev për KosovaPress flet edhe për raportet e SHBA-së me Kosovën. SHBA në shtator mori vendim që të pezullojë planifikimin për dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë. Mirëpo, Pançev thotë se, pavarësisht kësaj, nuk beson se SHBA-ja do të ndërmerr masa të ashpra që mund të rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.

Pançev: Nuk besoj se SHBA-ja do të ndërmerr masa të ashpra ndaj Kosovës

“Është e vërtetë se Kosova më shumë se shtetet e tjera në Ballkan varet nga faktori ndërkombëtar, sepse e dimë se për fat të keq ende nuk është përfunduar me sukses të plotë anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në Kombet e Bashkuara në vend të parë. Pra, është problem, por unë nuk mendoj se përfaqësuesit amerikanë do të ndërmarrin masa më të ashpra që mund të rrezikojnë stabilitetin e Kosovës, e as të cenojnë sovranitetin e Kosovës. Pra, unë mendoj se thjesht janë paralajmërime diplomatike që nuk kanë shumë peshë, nuk e rrezikojnë vetë stabilitetin e Kosovës në plan strategjik, në plan ushtarak ose në plan ekonomik sepse e dimë se bashkëpunimi është shembull në fushën e mbrojtjes midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon. Bëhet fjalë për procese të rëndësishme. Partneriteti, ndihma nga Uashingtoni vazhdon”, shton ai.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në lidhje me këtë çështje, Pançev, i cili është edhe albanolog, thotë se mos stabiliteti i brendshëm politik në Kosovë është problematik, por që një gjë e tillë po ndodh edhe në vende demokratike si Bullgaria, Italia dhe Franca.

Pançev: Mos stabiliteti politik i Kosovës - problematik

“Po, është problem jo-stabiliteti i brendshëm politik në Republikën e Kosovës, por jo shumë. Kosova ka dëshmuar gjatë kësaj dekade se i ka institucionet stabile që mund të veprojnë edhe në një situatë jo shumë të qartë politike. Është diçka normale për proceset demokratike. Edhe në Bullgari për tri vjet kemi pasur shtatë herë zgjedhje parlamentare, por edhe në vendet perëndimore si Italia e Belgjika e të tjera kanë qenë shumë jo-stabile në të kaluarën dhe sot shohim në Francë që janë në një krizë të tillë politike. Janë procese normale për vendet demokratike, pra nuk mund të kemi një shqetësim të thellë për zhvillimet politike në Kosovë”, përfundon Pançev.



Lexoni të gjitha në Bota Sot