Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, ka theksuar se fitorja e skuadrës së tij ndaj Elbasanit erdhi në mënyrën se si u përgatit kjo ndeshje.
“Në radhë të parë dua të përgëzoj çunat, se ishte ndeshje që nuk duhet të dilnim pa pikë nga fusha.
Është e mirë për tre pikët, karakterin, luftën sportive, edhe dyluftimet e ashpra që i fituam që na dhanë qetësinë duke dalë në kundërsulme dhe shënuam dy gola. Dua të përgëzoj edhe djemtë për asistet, por edhe mrekullitë e Karricës dhe Dakës.
Ne, duke lexuar lojën e Elbasanit gjatë javës, e dinim qendrën e mbrojtjes, ndaj çamë aty, dinim hapësirat që lënë.
Por ajo që më pëlqeu, e kam thënë që nuk kemi liderë në ekip, mungojnë disa e luajnë disa titullarë për herë të parë, besoj se luftën dhe fitoren na e dha mesfusha, duke markuar qendrat e Elbasanit që i ka cilësorë në ndërtim, vrapime dhe janë teknikë.
Ajo ishte suksesi ynë, duke mbyllur qendrën, duke ditur lojtarët që bëjnë vertikalizime e dukë i lënë të dalin në krosime, duke e ditur që jemi mirë në luftën në ajër.
Këtë ndeshje e kemi zgjidhur sa më thjeshtë të shkojmë te zona e kundërshtarit, të jemi të vëmendshëm që të mos pësojmë. Ne kemi luajtur edhe ndeshje të tjera, duke bërë kombinime, por në fund duhet të kënaqem edhe unë njëherë me trepikëshin e jo lojën e bukur, se të gjithë gjykohemi nga rezultatet. Kemi luajtur ndeshje të bukura, sidomos me Vllazninë dhe Egnatian.
Por nuk kemi marrë asgjë nga ato. Nuk duhet të vrasim futbollin, por ne që jemi ekip i ri në Superiore duhet të shohim pak edhe pikët në çdo ndeshje se kishim dy humbje radhazi dhe kjo fitore nga ana psikologjike meriton notën 10.
Ne shohim çdo ndeshje në veçanti, ndeshjen e radhës me Dinamon, përsëri e fortë me ekip që luan futboll të bukur dhe është pretendente për kampionat. Ne do vazhdojmë ndeshje për ndeshje për të marrë gjithçka, për të luftuar e luajtur futboll të bukur”., tha Bellaj.